shq   eng
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  Ilir Keko
MIMOZA LLASTICA dhe BENI ECËN VETË shfaqen në Festivalin e Filmit ALICE NELLA CITTA në Romë, Itali
ROMA - NDERIMI I RADHËS PËR REGJISOREN XHANFISE KEKO

Rrugëtimi ndërkombëtar i filmave të regjisores Xhanfise Keko vazhdon nëpër botë. Po ashtu edhe nderimi për individualitetin dhe personalitetin artistik të saj. Pas Danish Film Institut dhe Wiena Film Museum, institucione që i dedikuan homazhe regjisores shqiptare në vitet 2018 e 2019 duke shfaqur disa nga filmat më të njohur e të vlerësuar të saj, në vitin 2021 është Festivali i Filmit Alice nella città në Romë, Itali që ka kthyer kokën nga regjisorja shqiptare dhe i ka dedikuar një homazh ku në nderim të kontributit në kinematografi dhe personalitetit artistik të saj, në 20 tetor 2021 u shfaqën dy filma, “Beni ecën vetë” dhe “Mimoza llastica”.

Alice nella città
u krijua në vitin 2003, vite përpara festivalit të Romës, por me lindjen e këtij të fundit, nga viti 2006 – 2011 u bë pjesë e tij si seksioni zyrtar i filmit dedikuar të rinjve. Serioziteti i organizimit dhe reputacioni gjithnjë në rritje i tij bëri që në vitin 2012 ai të shkëputet nga Roma Film Festival, një ndër festivalet më të rëndësishëm në Itali pas atij të Venecias. Nga ajo ditë Festivali i Filmit Alice nella città ekziston si një festival autonom dhe paralel me Roma Film Festival, si një festival dedikuar tërësisht gjeneratës së re. Duke patur gjithmonë si objektiv parësor atë të konfigurimit të vetes si një ngjarje e konceptuar dhe ndërtuar për një auditor të ri, ai në të njëjtën kohë u është drejtuar të gjitha kategorive dhe moshave të spektatorëve për të krijuar një hapësirë të rëndësishme në panoramën e ngjarjeve ndërkombëtare të filmit.

Së fundi duhet thënë se, Alice nella città synon të vëzhgojë dhe të ofrojë në programin e saj filma të përzgjedhur nga gjithë bota, filma që lejojnë publikun të krahasojë dhe diskutojë vazhdimisht mbi teknikat, temat dhe gjuhët e kinemasë bashkëkohore.

Kjo është arësyeja që në konferencën për shtyp të organizatorëve, Drejtori Artistik i Festivalit, Gianluca Giannelli kur prezantoi homazhin dedikuar regjisores shqiptare, tha:
“Përsa u përket homazheve, do t’i bëjmë një nderim të rëndësishëm regjisores shqiptare Xhanfise Keko, e cila konsiderohet si Trufoja e kinemasë shqiptare. Ka qenë e vetmja regjisore në Shqipërinë komuniste, një regjisore grua pak e njohur për publikun e gjerë, por e cila ka krijuar një filmografi të rëndësishme përsa i përket pikërisht rrëfimeve me fëmijë. I transformoi në instrumente edhe për të shpalosur shoqërinë ku jetohej në ato kohë, duke u dhënë edhe një rol politik nëpërmjet të cilit tregonte se nuk donte të qëndronte e mbyllur në kafaz. Për ne ky ishte
një tjetër prej atyre mesazheve që donim ta përcillnim me anë të përzgjedhjes sonë.”
  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2021
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE