|
|
 |
|
|
|
Redaksia
“ARTI I SHTATË NË TIRANË” promovohet në AQSHF

Salla e kinemasë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit mirëpriti sërish njerëz të artit dhe të historisë më 1 Qershor 2011, këtë rradhë për të promovuar botimin e saj më të ri “Arti i shtatë në Tiranë”, me autor Spiro Mëhillin.
Sigurisht që ajo sallë e këndshme është vendi ideal ku mund të organizohej promovimi i këtij libri pasi është kthyer tashmë në një ambjent intim ku ndihet pesha e artit të shtatë, ku gjithçka që të rrethon bie erë histori dhe evokon vlerat që hodhën bazën për një art kinematografik i cili buroi nga shpirti artdashës i shqiptarëve.
“Arti i shtatë në Tiranë” i Spiro Mëhillit është një guidë e munguar dhe e domosdoshme mbi kinematë dhe filmat që janë shfaqurr në Kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. I ndërtuar mbi fakte dhe dokumente të patjetërsueshme, me burime arkivore dhe të dhëna nga shtypi i kohës, libri është një pasqyrë e shfaqjeve filmike dhe e kinemave të kryeqytetit, një udhëtim konologjik mbi kinematë e ndërtuara në Tiranë duke filluar viti 1920 me përpjejket e para të shfaqjeve teatrale apo projeksionet nëpër kafenetë e Tiranës, më pas me hapjen e së parës kinema në vitin 1926, Kinema “Nasional”, e më tej me lulëzimin, rënien dhe rigjallërimin e kinemave të kryeqytetit tonë në kushtet e reja krejt të ndryshme nga ato të secilës epokë ku kaloi arti kinematografik në Shqipëri.
Pas një sërë librash artistikë si dhe një studimi mbi Tiranën, Spiro Mëhilli e ndieu si një detyrim moral ta shkruante këtë libër, “për më tepër që im atë dhe dy xhaxhallarët e mi, kush më shumë e kush më pak, kanë qenë të lidhur me mrekullinë e artit të shtatë. Për këtë, jam mbështetur në kujtimet e mia, të babait, xhaxhallarëve”.
Një ndihmë të madhe autorit i kanë dhënë dokumentat, fotografitë dhe të dhënat gojore të disa prej fëmijëve të ish-pronarëve të kinemave të para në Tiranë, si Nuri Beshiri, Nasi Hobdari, Reshat Qosja, Halit dhe Ali Sheqeri, Aurel Plasari, e më tej, Zhani Canco, Gazmend Bakiu, Njazi e Bardhyl Lleshi, Igli Kamber Bego, Aleksandër Janku, e shumë të tjerë.
E gjithë historia e kinemave të Tiranës është e përmbledhur në këtë libër të vlefshëm dhe duke qenë se autori ka bërë një kërkim të thellë në dokumente të rralla arkivore që ruhen në Arkivin e Shtetit dhe në arkiva të tjera private, ky botim, përveçe një informacion historik, kthehet në një bazë studimore për studiuesit e rinj.
Krijimi i kinemasë së parë në Tiranë
Historia afro një shekullore e shfaqjeve filmike në Tiranë daton thuajse me jetën e vetë Tiranës si kryeqytet. Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht, Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërsisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese. Po ashtu, kinemaja e mirëfilltë në Tiranë u krijua me iniciativën e Xhuf Koljankës, inxhinier mekanik i diplomuar në Maltë; Alqi ose Nikolla Jani Hobdarit, industrialist, i dilpomuar në një degë të industrisë së lehtë në shkollën e lartë dyvjeçare në Athinë, dhe Ferit Vokopolës, deputet.
Këta të tre krijuan në vitin 1925 Shoqërinë e parë kinematografike në Shqipëri Kino-Theatër “Nasional”. Që atë vit, shoqëria aksionere i bëri kërkesë Ministrit të Arsimit për konçesion 15 vjeçar dhe të drejtë ekskluzive të kinemave të kryeqytetit, që do të ngriheshin më vonë. Ata kërkuan përkrahjen e qeverisë nga ana financiare duke e motivuar kërkesën e tyre se “qëllimi nuk ishte tregëtia por ngritja e nivelit artistik e kulturor të vendit”. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit e miratoi kërkesën dhe ia kaloi për miratim Këshillit të Ministrave por ky i fundit, me anë të vendimit Nr.8, datë 3 janar 1926 e refuzoi atë duke mos pranuar asnjë privilegj për shoqërinë kinematografike. Përpara kokëfortësisë së qeverisë, Alqi Hobdari dhe Xhuf Koljanka, më 5 shkurt 1926 shkruajnë: “Vetëm ideali patriotik dhe jo spekulimi e shtyri shoqërinë tonë të rrezikojë mijëra napolona për këtë vepër të shenjtë, pse nuk ka dyshim që ky kapital mund të jepte fitime shumë më të mëdha po të përdorej në industri ose në tregëti”.
Dhoma e deputetëve, në maj 1926, pasi mori në shqyrtim projektligjin mbi subvencionimin me 20 mijë franga ari dhe përjashtimin nga tagri doganor të materialeve të nevojshme për shoqërinë Kino-Theater “Nasional”, u shpreh: “tue mar parasysh se sot për sot në Shqipëri mungon elementi i nevojshëm për çeljen e mirvajtjen e këtij institucioni artistik, vendoj refuzimin e kësaj projektligje”.
Megjithëse në fillim u tregua skeptike, qeveria e kuptoi shpejt se kishte vepruar jo drejt me vendimet e marra nga ajo dhe nga Dhoma e Deputetëve dhe kështu, në korrik 1926, sipas Fletores Zyrtare nr. 104, 105 dhe 107, Këshilli i Ministrave u mblodh përsëri dhe e kaloi projektligjin mbi subvencionimin e shoqërisë Kino-Thetare “Nasional” ku thuhej në parim:
“Tue marr parasysh iniciativën tepër me rëndësi të shoqërisë Kinema Teatër “Nacjonale” për të çelur një Institut Artistik i cili ka për të zhvillum ndjesi artistike të popullit dhe ka për t’i shërbyer mjaft çështjes së edukatës së brezit të ri, tue e larguem këtë nga çfaqësimet e pa adaptueme me edukatën e moralin e duhun, e shofim tepër të nevojshme qi t’i vehen lehtësimet e duhuna këtij instituti për t’u mëkëmbuem brenda nji kohe të shkurtër.
Me qëllim pra, qi t’i jepet nji ndihmë kësaj shoqnije tash në fillim e sipër, e cila detyrohet të bamë sakrifica të mëdha financiare dhe tue ditun se derisa të stërvitet populli ynë me të këtilla të çfaquna serioze, ka për të kërkuem një kohë e gjatë në të cilën shoqnia nuk mund të nxjerrij shpenzimet e në këto vjete e para, e gjejmë t’arsyeshme t’i bahet ndihma në këtë mënyrë qi parashifet në projektligjen e bashkangjitur.
Sipas zotimeve të bame, shoqnija ka për të sjellun filma të veçantë për nxënësit e shkollave, të cilët do të hyjnë gratis krye pesëmbëdhjetë ditësh dhe kjo gjë ka për të qenë tepër e dobishme për mësimet e ndryshme të shkollës, tue i bamun këto konkrete ashtu si janë tue u ba në të gjithë vendet e qytetënueme. Veçanërisht dihet se zhvillimi i ndjenjave artistike serioze në popull ka një rëndësi të veçantë mbasi djelmënia sot tërhiqet nëpër kafeshndanet dhe gazino ku nuk ndigjon gja tjetër veç kangave të huaja dhe të papajtueshme me moral.
Çelja e nji instituti të ri me parime artistike kombëtare ka për të rritur moralin e popullit dhe ka për të stërvitun këtë me shijue vepra të nji arti të vërtetë të bazuem në forcën e edukatës kombëtare.
Përveç kësaj, elementi femnuer, i cili deri më sot nuk e ka pasur fatin me marr pjesë nëpër çfaqësina kinema-teatrore, po i jepet rasti qi të mund të shijojë vepra artistike dhe në këtë mënyrë familja shqiptare do të mund të hedhin hapat e para në parimin e dëshirueshëm tue iu afruem jetës occidentale. ... Drejtori Përgjithshëm, P.Pogoni d.v”.
Pas shumë diskutimeve në parlament, më në fund, më 22 qershor 1926 u çel KINEMA TEATЁR NACIONAL. Ajo ka pasur 600 vende dhe përbëhej nga plateja, llozha dhe galeria. Në kabinën e projeksionit kishte dy aparate të markës “BAYER”. Më vonë u mor edhe një aparat projeksioni “ZEISS”. Fillimisht shfaqeshin filma pa zë.
Interesant është fakti se pronarët e kinemasë e morën iniciativën për hapjen e saj në një kohë kur në qytet atë vit kishte 2816 shtëpi me 16513 banorë, nga këta 12513 vendas dhe 4000 të ardhur pas shpalljes së Tiranës kryeqytet. Po aq interesant është fakti që salla në dimër kishte ngrohje e në verë freski.
Ky ishte fillimi i bujshëm i biznesit të kinemave në Tiranë, një biznes që sot, pas 85 vjetëve, do ta kishin zili administratorët e 2 kinemave aktuale të kryeqytetit tonë.

|
|
|