|
 |
Programi i shfaqjeve
|
|
13.02.2019
NË FLAKËT E REVOLUCIONIT dhe kumtesë nga Prof. Ardian Ndreca

Rifillon cikli "Thesaret e Arkivit" - program i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit i kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor.
Viti 1967 ishte ndër më vendimtarët e diktaturës komuniste. Udhëheqësi Enver Hoxha shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë dhe ndaloi të gjitha praktikat fetare. Pasi vuajtën për dy dekada, edhe ato pak kisha, xhami dhe teqe të mbetura u mbyllën ose u shndërruan në kinema apo qendra sportive. Priftërinjtë dhe imamët u vunë përballë gjyqeve publike. Duke kopjuar Revolucionin Kulturor Kinez, komunistët e rinj shkuan në të gjithë Shqipërinë që të shkatërronin ndërtesat fetare dhe të bindnin njerëzit të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Gjatë kësaj fushate të dhunshme, katër klerikë të moshuar vdiqën kur u dogj Kuvendi Françeskan i Shkodrës.
Për këto ngjarje të rëndësishme u prodhua një dokumentar kontroversial i titulluar NË FLAKËT E REVOLUCIONIT (1967), me regjisor kamera operatorin e talentuar, Endri Keko. I xhiruar nga mjeshtrit Ilia Terpini dhe Niko Theodhosi, ky dokumentar bardhë e zi, i shfaqur shumë rrallë, sjell në vëmendje këtë moment kyç të historisë së vendit tonë. Drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi, së bashku me profesorin e nderuar Ardian Ndreca, do të hedhin dritë mbi këtë kohë traumatike të Shqipërisë.
Ju mirëpresim për një natë të paharrueshme të mërkurën, në 13 shkurt, ora 19:00, në Kinema Agimi.
Filmi do të shfaqet në 35mm me titra në anglisht.
P.S. Kurimi i filmit, si dhe kumtesa e Prof. Ardian Ndreca ofrohen falas. Për të përballuar kostot e sallës dhe të projektimit, hyrja kushton 300 lekë.

|
|
|