|
|
Kinemaja
Edhe një kinema tjetër i është shtuar kryeqytetit që prej muajit Gusht 2010!
Është një kinema disi e veçantë, ndryshe nga të tjerat... sepse përveç programit të vet specifik,
hyrja për publikun është gjithnjë falas.
Arkivi i Filmit, i cili si filozofi të punës së vet ka përhapjen e kulturës filmike krahas ruajtjes dhe
mirëmbajtjes së trashëgimisë kombëtare audiovizuale, me vënien në funksionim të kinemasë merr funksionet e
vërteta të një kinemateke.
Salla e saporestauruar e kinemasë së Arkivit të Filmit filloi projeksionin e parë në 4 gusht 2010 dhe u
inagurua me një ceremoni të veçantë në datën 14 shtator 2010.
Kinemaja 80 vendëshe, e ndërtuar në vitin 2000 me iniciativën e ish - drejtoreshës së AQSHF,
skenaristes dhe studiueses Natasha Lako, iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë pas 10 viteve nga ndërtimi.
Ishte këmbëngulja e drejtorëve të rradhës, Artan Minarolli dhe së fundmi Elvira Diamanti, që kinemaja të vihej
në efiçencë të plotë në kuadër edhe të rikonstruksionit të godinës me fondet e buxhetit të shtetit të
akorduara për AQSHF nga MTKRS sipas një projekti të veçantë për rikonstruksionin.
Aparatura e projeksionit e markës ERNEMANN, prodhuar nga CineProject me bazë në Gjermani, u përfitua nga
Programi i Qeverisë Shqiptare "Trashëgimia për Zhvillimin Social-ekonomik" i financuar nga Qeveria Spanjolle
dhe i implementuar nga UNDP dhe UNESCO.
Shfaqjet për publikun dashamirës të kinemasë janë pjesë e punës së AQSHF-së dhe u përmbahen ligjit për
kinematografinë, statutit dhe rregullores së institucionit. Kanë për qëllim promovimin e fondit filmik që
ruhet në AQSHF dhe përhapjen e kulturës filmike tek publiku i gjerë.
Çdo ditë të mërkurë, të çdo jave, ka projeksion filmi në kinemanë e AQSHF. Të gjitha projeksionet janë në 35 mm
dhe hyrja për publikun është falas. Për publikun nostalgjik shfaqen herë pas here prodhime të kinematografisë
botërore, pjesë e fondit filmik të AQSHF, të cilët kanë qarkulluar nëpër ekranet e kinemave tona në vitet
'60 - '70 – '80 dhe janë ndjekur me shumë interes nga publiku. Rishfaqja e filmave të vjetër synon të
rizgjojë tek publiku i moshës së tretë tashmë, emocionet e dikurshme që u kanë dhënë këto filma, por edhe tua
paraqesë më të rinjve të cilët i njohin si tituj, por nuk kanë pasur më rast t’i ndjekin në kinema këto filma.
Kjo është një mënyrë e mirë për të tërhequr drejt magjisë së kinemasë të dy brezat, kjo edhe sepse filmat e
përzgjedhur janë perla të kinematografisë klasike botërore dhe marrin vlerë në kohë, bëhen pjesë e historisë
dhe janë material studimi për studentët dhe studiuesit e kinematografisë.
Herë pas here bëhen projeksione të organizuara me publik të zgjedhur enkas, siç është:
- Projekti me shkollat; projeksione të filmave për studentët e kinemasë në Akademinë e Arteve dhe
Akademinë Marubi. Projeksione të konceptuara si një orë mësimore, me tema që studiohen në shkollat
9-vjeçare apo të mesme në lëndën e letërsisë dhe historisë, ku si publik do të jenë nxënësit e
shkollave bashkë me mësuesit e tyre.
- Projeksione të porositura; ku grupe të organizuara dashamirësish të kinemasë, mbi 5 persona, mund të
depozitojnë në Redaksinë e AQSHF kërkesën e tyre për filmin që duan të shohin, pasi të jenë konsultuar
me listën e filmave në dispozicion.
- Çdo aktivitet tjetër që organizon AQSHF në raste festash, përkujtimesh, nderime artistësh, përvjetore,
jubile, javë filmash nga kinematografia e huaj, etj.
|